Shkaktarët e rënies së flokëve!
Thonë për gratë se flokët e tyre janë gjysma e bukurisë ndaj kur bëhet fjalë për kujdesin e tyre ka një vëmendje të shtuar. Pavarësisht gjatësisë, modelit apo ngjyrës, për gratë, flokët janë më shumë se një tufë fibrash. Ato shprehin stil dhe personalitet. Por nëse flokët fillojnë të bien, kjo mund t'ju frikësojë vërtet...
Rënia e flokëve nuk është vetëm çështje meshkujsh
Pavarësisht nëse është për një kohë të shkurtër apo afatgjatë, femrat humbasin flokët njësoj si meshkujt. Flokët mund të hollohen, sipërfaqja pa flokë të rritet dhe pjesa qëndrore të bëhet gjithnjë e më e gjerë. Ju madje mund të keni një vend pa flokë në skalpin e kokës.
Si rriten flokët?
Koka ka rreth 100,000 qime. Secila qime ka ciklin e vet të jetës. Një gjëndër prodhon një qime të vetme që rritet me një shpejtësi 1.2 cm në muaj. Ai qëndron atje për 2 deri në 6 vjet, pastaj ndalon për rreth një muaj. Kur fillon cikli tjetër, flokët bien.
Sa është rënia normale e flokëve?
Shumicës së njerëzve u bien rreth 50-100 fije çdo ditë. Mos u shqetësoni nëse gjeni disa në furçën e flokëve ose në rrobat tuaja. Por nëse filloni të shikoni grumbuj ose nëse vëreni se flokët po hollohen me kalimin e kohës, konsultohuni me mjekun tuaj.
Cilat janë shkaqet e rënies së flokëve?
Nuk ka një faktor të vetëm. Shkaktarët variojnë nga kushtet mjekësore - deri tek stresi dhe faktorët e stilit të jetesës, si dhe ushqimit. Gjenet tuaja luajnë gjithashtu një rol. Ndonjëherë mjekët nuk mund të gjejnë një arsye specifike. Si pikënisje, ekspertët e rënies së flokëve sugjerojnë që të testoheni për problemet e tiroides dhe disbalancën hormonale. Flokët shpesh rriten përsëri pasi trajtohet shkaku.
1.Problemet me tiroiden
Tiroidja është gjendra në formë fluture e vendosur në qafë që prodhon hormone të cilat kontrollojnë metabolizmin e njeriut. Nëse sasia e sekretuar e hormoneve nga gjendra e tiroideve është më shumë seç duhet ose më pak, kjo ndikon tek cikli i rritjes së flokëve. Por flokët e dobësuar nuk janë e vetmja shenjë e një problemi me tiroiden. Shenja të tjera janë humbja ose shtimi i peshës, ndjeshmëria ndaj të ftohtit ose të nxehtit ose ndryshime në rrahjet e zemrës.
2.Sindroma ovarit policistik (PCOS)
Në rastet e sindromës së ovarit policistik (PCOS), hormonet janë jashtë kontrollit duke prodhuar më shumë hormone mashkullore, ose androgjen, sesa duhet. Kjo mund të shkaktojë daljen e qimeve shtesë në fytyrë dhe trup dhe hollimin e flokëve në kokë. PCOS gjithashtu mund të çojë në probleme të ovulacionit, akne në fytyre dhe shtim në peshë. Por ndonjëherë rrallimi i flokëve është e vetmja shenjë e dukshme.
3.Sapo jeni bërë mami
Gjatë shtatzanisë, hormonet ndikojnë që flokët të mos bien si zakonisht. Pas lindjes, flokët fillojnë të bien për shkak të ndryshimit hormonal derisa të vendoset një balancë për 3 – 6 muaj. Mund të duhen deri në 2 vjet që flokët tuaja të kthehen në normalitet.
4.Keni mungesë hekuri
Hekuri ndihmon që të keni flokë të shëndetshëm. Kur niveli i tij ulet, edhe flokët fillojnë të bien. Tregues tjetër i mungesës së hekurit janë thonjtë e brishtë, lëkura e zbehtë, dobësia dhe rrahjet e shpejta të zemrës.
5.Nuk merrni mjaftueshëm proteina
Një dietë e varfër në proteina, e nxit trupin të “kursejë„ aty ku mundet, dhe kjo përfshin ndalimin e rritjes së flokëve. Rreth 2 deri në 3 muaj pas pamjaftueshmërisë së proteinave, flokët fillojnë të bien.
6.Duhanpirja
Flokët nuk janë imunë ndaj dëmit që mund të shkaktojë pirja e duhanit. Toksinat në tymin e cigareve mund të prishin folikujt e flokëve dhe pengojnë rritjen e tyre.
7.Jeni të stresuar
Stresi dhe gjendja e ngarkuar emocionale shpesh sulmojnë systemin imunitar dhe folikujt e flokëve. Shqetësime dhe ankthi ndalojnë rritjen e flokut dhe po ashtu ndikojnë në rënien e tyre pas dushit.
8.Nxehtësia dhe bojërat
Përdorimi i përditshëm i tharëses, piastrës apo mjeteve të tjera me nxehtësi, dobëson strukturën e qimeve duke i dëmtuar. Po ashtu edhe bojërat dhe produktet e tjera të flokëve mund t’i dëmtojnë.
9.Dietat drastike
Mund të keni dëshiruar të humbni peshë duke përdorur dieta të ndryshme por bashkë me kilogramët rrezikoni t’iu bien flokët. Mungesa e nutrientëve, bën që flokët tuaj të mos ushqehen siç duhet dhe si rrjedhojë nuk zhvillojnë ciklin e tyre normal të rritjes. Megjithatë me rikthimin e një diete të shëndetshme, flokët tuaj do të rijetësohen.
10.Stilimet e shtrënguara të flokëve
Njësoj si veshjet e ngushta të cilat irritojnë lëkurën tuaj, e njëjta gjë vlen edhe për flokët. Stilimet e shtrënguara të flokëve, këpusin flokët dhe ndikojnë në rënien e tyre. Ndaj kujdesuni që gjatë stilimit të flokëve, të mos i shtrëngoni shumë.