Shkaqet e lodhjes dhe përgjumjes dhe si t'i luftoni ato!
1. Nuk flini mjaftueshëm
Mund të jeni në dijeni se nuk po flini mjaftueshëm, por mungesa e gjumit ndikon negativisht në përqendrimin dhe shëndetin tuaj.
-Të rriturit duhet të flenë 7 deri 8 orë në ditë.
Si ta përmirësoni: Jepini prioritet gjumit tuaj dhe flini në një orar të caktuar. Largoni laptopin, celularin dhe televizorin nga dhoma e gjumit.
Nëse ende keni probleme, duhet të kërkoni ndihmën e një mjeku. Ndoshta mund të vuani nga çrregullimi i gjumit.
2. Apnea e gjumit
Disa njerëz mendojnë se flenë mjaftueshëm, por apnea e gjumit i pengon. Ndërprerjet e frymëmarrjes gjithë natës të zgjojnë për një moment, për të cilën mund të mos jeni në dijeni.
Rezultati: ju nuk keni fjetur mjaftueshëm pavarësisht se keni kaluar tetë orë në shtrat.
Si ta përmirësoni: Humbni peshë nëse jeni mbipeshë, lini duhanin dhe mund t'ju duhet një pajisje CPAP për t'ju ndihmuar të mbani rrugët e frymëmarrjes të hapura gjatë gjumit.
3. Energji të pamjaftueshme
Të hash pak shkakton lodhje por edhe ngrënia e ushqimeve të gabuara është problem. Dieta e balancuar ndihmon trupin të mbajë sheqerin në nivele normale dhe parandalon ndjesinë e dobësisë kur ulet niveli i tij në gjak.
Si ta përmirësoni: Gjithmonë hani mëngjes dhe përpiquni të përfshini proteina dhe karbohidrate në çdo vakt. Gjithashtu hani vakte të vogla dhe ushqime gjatë ditës për energji të qëndrueshme.
4. Anemia
Anemia është një nga shkaqet kryesore të lodhjes tek gratë. Humbja e gjakut nëpërmjet menstruacioneve mund të shkaktojë mungesë hekuri, duke i vënë gratë në rrezik. Qelizat e kuqe të gjakut janë të nevojshme sepse ato ushqejnë me oksigjen indet dhe organet.
Si ta përmirësoni: Për aneminë e shkaktuar nga mungesa e hekurit, marrja e suplementeve të hekurit dhe ngrënia e ushqimeve të pasura me hekur, të tilla si mishi, mëlçia, fasulet dhe drithërat e pasuruara, mund të ndihmojnë.
5. Depresioni
Ju mund ta konsideroni depresionin si një çrregullim emocional por ai shoqërohet edhe me simptoma fizike. Lodhja, dhimbjet e kokës dhe humbja e oreksit janë ndër simptomat më të zakonshme. Nëse ndiheni të lodhur dhe me moralin e rënë për më shumë se disa javë, konsultohuni me mjekun tuaj.
Si ta përmirësoni: Depresioni mund të përmirësohet nëpërmjet terapisë së të folurit dhe/ose barnave.
6. Hipotiroidizmi
Tiroidja është një gjendër e vogël e pozicionuar në pjesën e përparme të qafës. Ajo kontrollon metabolizmin e trupit dhe proçeset me të cilat ai përdor energjitë. Kur gjëndra është me funksion të reduktuar, metabolizmi funksionon shumë ngadalë dhe ju mund të ndiheni të plogësht dhe të shtoni peshë.
Si ta përmirësoni: Nëse një analizë gjaku tregon se hormonet e prodhuara nga tiroidja janë në nivele të ulëta, duhet të konsultoheni me mjekun për terapitë zëvendësuese.
7. Mbidoza e kafeinës
Kafeina në doza të moderuara mund të rrisë vëmendjen dhe përqëndrimin. Por në doza të tepruara, ajo mund të shtojë rrahjet e zemrës, presionin e gjakut dhe nervozizmin. Disa studime tregojnë se tek disa persona shkakton edhe lodhje.
Si ta përmirësoni: Filloni të ulni gradualisht konsumimin e kafes, çokollatave, dhe çdo bari që përmban kafeinë.
Kujdes!! Ndërprerja e menjëhershme e kafeinës mund të shkaktojë më shumë lodhje.
8. Infeksione të fshehura të traktit urinar
Nëse keni kaluar ndonjëherë infeksione urinare, me siguri jeni familjar me ndjesinë e djegies gjatë urinimit dhe nevojën emergjente për të shkuar në tualet. Por infeksionet urinare jo gjithmonë shoqërohen me simptoma të qarta. Në disa raste, shenja e vetme është lodhja. Një test i shpejtë i urinës mund të konfirmojë nëse keni një infeksion të traktit urinar.
Si ta përmirësoni: Konsultohuni me mjekun tuaj për terapi në shtëpi me Antibiotikë.
9. Diabeti
Tek njerëzit me diabet, nivelet e larta jonormale të sheqerit mbeten në qarkullimin e gjakut në vend që të hyjnë në qelizat e trupit, ku do të shndërroheshin në energji. Nëse keni lodhje të vazhdueshme, të pashpjegueshme, pyesni mjekun tuaj për të realizuar testin e diabetit.
Si ta përmirësoni: Trajtimet për diabetin mund të përfshijnë ndryshime në stilin e jetës si dieta dhe stërvitja, terapia me insulinë dhe barna.
10. Dehidrimi
Lodhja mund të jetë shenjë e dehidrimit. Pavarësisht nga lloji i punës që bëni, terren apo zyrë, trupi ka nevojë për ujë për të punuar më mirë dhe për të qenë i freskët.
Si ta përmirësoni: Pini ujë gjatë gjithë ditës. Gjithashtu të paktën 2 gota ujë, 1 orë para një aktiviteti fizik të planifikuar dhe 2 gota pas.
11. Sëmundjet e zemrës
Nëse ndjeni lodhje edhe kur kryeni aktivitetet e përditshme si pastrimi i shtëpisë apo oborrit, kjo është një shenjë që zemra nuk po punon siç duhet. Nëse vëreni se nuk kryeni dot aktivitete të cilat më pare ishin të lehta për ju, konsultohuni me një mjek për sëmundjet e zemrës.
Si ta përmirësoni: Ndryshimet e stilit të jetesës, barnat dhe proçedurat terapeutike mund të mbajnë sëmundjet e zemrës nën kontroll dhe të rikthejnë energjinë tuaj.
12. Çrregullimi i gjumit nga puna me turne
Ndryshimi i turneve apo puna gjatë natës, e prishin ciklin tuaj biologjik të gjumit. Mund të ndiheni të lodhur kur jeni zgjuar dhe të keni probleme me gjumin gjatë ditës.
Si ta përmirësoni: Largoni ndriçimin natyral të dhomës ku flini gjatë ditës. Bëjeni ambientin tuaj të errët, të freskët dhe të qetë. Nëse përsëri keni probleme me gjumin, konsultohuni me mjekun i cili mund t’ju japë suplemente për t’ju ndihmuar.
13. Alergjitë nga ushqimet
Disa mjekë besojnë se alergjitë e fshehura të ushqimeve mund të shkaktojnë lodhje. Ju mund të jeni intolerantë ndaj disa ushqimeve dhe kjo nuk do të thotë të keni kruarje apo urtikarie, por mjafton që të ndjeni lodhje.
Si ta përmirësoni: Përpiquni të largoni ushqimet që dyshoni se mund t’ju shkaktojnë lodhjen për të pare nëse situata do të përmirësohet. Gjithashtu konsultoheni me mjekun për një test alergjie.
14. Sindroma e lodhjes kronike dhe fibromialgjia
Nëse lodhja zgjat më shumë se gjashtë muaj dhe është aq e rëndë sa nuk mund të menaxhoni aktivitetet e përditshme, atëherë ekziston mundësia e shfaqjes së sindromës së lodhjes kronike ose fibromialgjia. Të dyja mund të kenë simptoma të ndryshme, por lodhja e vazhdueshme e pashpjegueshme është shenja kryesore.
Si ta përmirësoni: Edhe pse nuk ka ende një mënyrë për të trajtuar fibromialgjinë, pacientët shpesh përfitojnë nga rregullimi i orarit të gjumit, duke mësuar zakone më të mira të gjumit dhe duke filluar një program të lehtë stërvitjeje.