Stresi-Shkaqet, Simptomat, Menaxhimi dhe Trajtimi
Stresi është një përgjigje fiziologjike dhe psikologjike ndaj një ndryshimi që trupi dhe mendja e shohin si të vështirë. Hulumtimet kanë treguar se stresi ndonjëherë mund të jetë pozitiv. Na bën më vigjilentë dhe na ndihmon të performojmë më mirë në situata të caktuara. Megjithatë, stresi është i dobishëm vetëm nëse është afatshkurtër.
Ekzistojnë tre lloje kryesore të stresit:
- Stresi akut është stresi afatshkurtër që vjen dhe shkon shpejt.
- Stresi akut episodik është kur përjetoni stres akut rregullisht. Me këtë lloj stresi, ju nuk e merrni kurrë kohën që ju nevojitet për t'u kthyer në një gjendje të qetë dhe të relaksuar. Stresi episodik shpesh prek njerëzit që punojnë në profesione të caktuara, si profesionistët e kujdesit shëndetësor.
- Stresi kronik është stres afatgjatë që vazhdon për javë ose muaj. Mund të përjetoni stres kronik për shkak të problemeve në martesë, çështjeve në punë ose problemeve financiare.
Si ndikon stresi në trup?
Simptomat fizike të stresit mund të përfshijnë:
- Dhimbje gjoksi ose një ndjenjë sikur zemra juaj po nxiton.
- Lodhje ose probleme me gjumin.
- Dhimbje koke, marramendje ose dridhje.
- Presioni i lartë i gjakut (hipertension).
- Tensioni i muskujve ose shtrëngimi i nofullës.
- Probleme me stomakun ose me tretjen.
- Probleme me marrëdhëniet seksuale.
- Sistemi imunitar i dobësuar.
Simptomat si këto shkaktohen nga një stimulim i hormoneve të stresit në trupin tuaj. Kjo njihet si përgjigja “fight or flight”. Hormonet e quajtura adrenalina dhe noradrenalina rrisin presionin e gjakut, rrisin rrahjet e zemrës dhe rrisin sasinë e djersës. Kortizoli, një tjetër hormon stresi, lëshon yndyrna dhe sheqer në sistemin tuaj për të rritur energjinë.
Simptomat psikologjike
Stresi mund të çojë në simptoma emocionale dhe mendore (psikologjike), si:
- Ankth ose nervozizëm
- Sulmet e panikut
- Depresion
Crregullime të sjelljes
Shpesh, njerëzit me stres kronik provojnë eksperienca të ndryshme për të përballuar gjendjet stresante. Dhe disa nga këto formojnë zakone dhe mund të kenë ndikim në shëndetin tuaj. Këto mund të përfshijnë:
- Varësi nga përdorimi i alkoolit
- Varësi nga lojërat e fatit
- Ngrënia e tepërt ose zhvillimi i një çrregullimi të të ngrënit.
- Varësi ndaj seksit
- Pirja e duhanit.
- Çrregullimi i përdorimit të substancave.
Si diagnostikohet stresi?
Stresi është subjektiv - i pamatshëm me teste. Vetëm personi që e përjeton mund të përcaktojë nëse është i pranishëm dhe sa i rëndë ndihet. Një profesionist i kujdesit shëndetësor mund të përdorë pyetësorë për të kuptuar stresin dhe se si ai ndikon në jetën tuaj.
Menaxhimi dhe Trajtimi
Nuk mund ta shmangni stresin. Por mund ta ndaloni që të bëhet dërrmuese duke praktikuar disa zakone të përditshme për lehtësimin e tij:
- Provoni të bëni një formë të aktivitetit fizik kur ndjeni se shfaqen simptoma të stresit. Edhe një shëtitje e shkurtër mund të përmirësojë humorin.
- Një dietë e shëndetshme do të zvogëlojë rreziqet e sëmundjeve. Gjithashtu, ka një sasi në rritje të provave që tregojnë se si ushqimi ndikon në relaksim nervor dhe lehtësimin e episodeve stresante. Përfshini substance adaptogjene në regjimin tuaj ushqimor. Adaptogjenët janë përbërës aktivë në disa bimë dhe kërpudha që mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi juaj përballet me stresin, ankthin dhe lodhjen. Këtu mund të përmendim Ashwagndha, Ginseng, Rhodiola etj. Adaptogjenët ndihmojnë trupin në shumë mënyra, duke përfshirë përmirësimin e humorit, balancimin e hormoneve, reduktimin e lodhjes dhe forcimin e sistemit imunitar.
- Mësoni t'i thoni "jo" përgjegjësive shtesë kur jeni shumë të zënë ose të stresuar.
- Pranoni që nuk mund të kontrolloni gjithçka. Gjeni mënyra për të hequr qafe shqetësimin për situatat që nuk mund t'i ndryshoni.
- Qëndroni afër me njerëz që ju mbajnë të qetë, ju bëjnë të lumtur, ofrojnë mbështetje emocionale dhe ju ndihmojnë kur keni nevojë.
- Reduktoni kohën që shpenzoni në rrjete sociale.
- Vendosni një regjim gjumi.
- Kërkoni ndihmë
Është e rëndësishme të kontrolloni stresin tuaj, sepse ai mund të çojë në probleme të tjera shëndetësore. Nëse simptomat e stresit nuk largohen me teknikat e lehtësimit dhe nëse ndiheni të mbingarkuar, drejtohuni tek një profesionist.
Referenca:
- https://my.clevelandclinic.org/health/diseases/11874-stress
- https://www.mayoclinichealthsystem.org/hometown-health/speaking-of-health/5-tips-to-manage-stress
- https://www.mentalhealth.org.uk/explore-mental health/publications/how-manage-and-reduce-stress
- https://my.clevelandclinic.org/health/drugs/22361-adaptogens
- https://www.uclahealth.org/news/article/what-are-adaptogens-and-should-you-be-taking-them