Probiotikët dhe benefitet e tyre
Probiotikët janë një kombinim i baktereve të gjalla të dobishme dhe/ose majave, që jetojnë natyrshëm në trupin tonë. Bakteret zakonisht shihen në një këndvështrim negativ si diçka që na sëmur. Megjithatë, ne kemi dy lloje bakteresh vazhdimisht brenda trupit - baktere të mira dhe baktere të këqija.
Probiotikët përbëhen nga baktere të mira, që ndihmojnë në mirëqënien e organizmit tonë.
Cilat janë llojet më të zakonshme të probiotikëve?
Megjithëse ka shumë lloje bakteresh që mund të konsiderohen probiotikë, ekzistojnë dy lloje specifike të baktereve, që janë probiotikë të zakonshëm që gjenden në ushqime dhe produktet farmaceutike. Këtu përmendim:
- Lactobacillus
- Bifidobakter
Probiotikët gjithashtu përbëhen nga maja e mirë. Lloji më i zakonshëm i majave, që gjendet në probiotikë është: Saccharomyces boulardii.
Ku jetojnë në trupin tonë probiotikët (mikrobet) e dobishme?
Vendi më i zakonshëm ku gjenden probiotikët është zorra (kryesisht zorra e trashë). Krahas intestinit probiotikët i gjejmë në:
- Gojë.
- Vaginë.
- Trakt urinar.
- Lëkurë.
- Mushkëri.
Probiotikët sigurojnë një ekuilibër të shëndetshëm të florës normale bakteriale të zorrëve dhe janë të lidhur me një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore.
- Probiotikët ndihmojnë në balancimin e baktereve të mira në sistemin tretës.
Një ç’ekuilibër do të thotë se ka shumë baktere të këqija dhe jo mjaftueshëm baktere të mira. Kjo mund të ndodhë për shkak të sëmundjeve, mjekimeve të tilla si antibiotikët, regjimi i varfër ushqimor etj. Pasojat e kësaj disbalance mund të përfshijnë probleme të tretjes, alergji, probleme të shëndetit mendor, obezitet.
- Probiotikët janë të njohur gjerësisht për aftësinë e tyre për të parandaluar diarrenë ose për të zvogëluar ashpërsinë e saj.
Diarreja është një efekt anësor i zakonshëm i terapisë me antibiotikë. Kjo ndodh, sepse antibiotikët sulmojnë jo vetëm patogjenët por edhe florën normale bakteriale të organizmit.
Në një studim, u zbulua se marrja e probiotikëve reduktoi diarrenë e shkaktuar nga antibiotikët me 42%.
- Suplementet probiotike përmirësojnë disa shqetësime të shëndetit mendor.
Një numër në rritje i studimeve lidhin shëndetin e zorrëve me gjendjen shpirtërore dhe shëndetin mendor.
Një përmbledhje e 15 studimeve në njerëz zbuloi se përdorimi i suplemeneteve me shtame Bifidobacterium dhe Lactobacillus për 1-2 muaj mund të përmirësojë ankthin, depresionin, autizmin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD) dhe kujtesën. Përfitimet u panë gjithashtu në një studim të 40 pacientëve me depresion.
- Disa lloje probiotikësh ndihmojnë në një sistem kardiovaskular të shëndetshëm.
Probiotikët ndihmojnë për të mbajtur një zemër të shëndetshme duke ulur kolesterolin LDL (“i keq”) dhe presionin e gjakut. Një rishikim i 5 studimeve zbuloi se konsumi i një kosi me probiotikë për 2-8 javë ul kolesterolin total me 4% dhe kolesterolin LDL me 5%.
- Probiotikët ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar.
Probiotikët ndihmojnë për të forcuar sistemin imunitar dhe për të penguar rritjen e baktereve të dëmshme të zorrëve.
Gjithashtu, disa probiotikë janë zbuluar se nxisin prodhimin e antitrupave natyralë në trup. Ato gjithashtu mund të forcojnë qelizat imune si qelizat që prodhojnë IgA, limfocitet T dhe qelizat vrasëse natyrore. Një studim zbuloi se marrja e probiotikëve zvogëloi gjasat dhe kohëzgjatjen e infeksioneve të frymëmarrjes.
- Probiotikët mund të ndihmojnë në humbjen e peshës përmes një numri të ndryshëm mekanizmash.
Për shembull, disa probiotikë pengojnë përthithjen e yndyrës ushqimore në zorrë. Yndyra më pas ekskretohet përmes feçeve në vend që të depozitohet në trup.
Ato gjithashtu mund të ndihmojnë drejtpërdrejt me humbjen e peshës. Në një studim, gratë në dietë që morën Lactobacillus Rhamnosus për 3 muaj humbën 50% më shumë peshë sesa gratë që nuk morën probiotikë.
Si të zgjedhim një probiotik?
Kur kërkojmë për probiotikët më të mirë për të përmirësuar funksionin e mikrobiomës, duhet t'i kushtojmë vëmendje të madhe disa karakteristikave:
- Njësitë, që formojnë kolonitë e probiotikëve (numri i baktereve për dozë).
- Llojet e shtameve bakteriale që përdoren.
- Mënyrës së ruajtjes së probiotikëve.
- Markat ose linjat, që janë vërtetuar për efektivitetin e tyre.
Sa të sigurt janë probiotikët?
Ka njerëz të caktuar, që duhet të bëjnë kujdes kur përdorin suplemente me probiotikë. Ekziston rreziku i infeksionit në disa individë. Këtu përfshijmë ata që kanë:
- Një sistem imunitar të dobësuar (për shembull, ata që kryejnë kimioterapi).
- Një sëmundje kritike.
- Së fundmi, kanë bërë një operacion.
Kujdes duhet treguar edhe kur u jepni probiotikë foshnjave shumë të sëmura.
Gjithmonë bisedoni me farmacistin ose mjekun tuaj përpara se të filloni një suplement probiotik.